Real Madrid ka fituar me rezultat të thellë 5-1 ndaj Valencias në kuadër të javës së 13-të në La Liga.

Madrilenët morën avantazh në minutën e tretë përmes Dani Carvajal i cili realizoi një gol mjaft të bukur për 1-0 pas asistimit milimetrik të Toni Kroos.

Mysafirët nuk qëndruan duarkryq dhe patën tri mundësi shënimi njëra pas tjetrës me Hugo Duron, por ai u tregua në të gjitha rastet i pasaktë para portës.

Tre minuta pa përfunduar pjesa e parë, Vinicius shënoi me gjoks për 2-0 pas asistimit të Rodrygos.

Los Blancos shënuan dy gola të shpejtë në pjesën e dytë në harkun e vetëm dy minutave lojë.

Fillimisht Vinicius në minutën e 49-të pranon një top pak metra jashtë zonës dhe bën një goditje të fuqishme e cila përfundon në cepin e majtë të portës së Mamardashvilit për rezultatin 3-0.

Menjëherë ne aksionin vijues në minutën e 50-të Rodrygo arriti të shënojë për 4-0 pas një depërtimi të bukur brenda zonës.

Rodrygo ishte protagonist edhe një herë tjetër duke shënuar në minutën e 84-të golin e tij të dytë personal dhe të pestin për Real Madridin.

Krejt çka mysafirët arritën në këtë sfidë ishte ‘goli i nderit’ i shënuar nga Hugo Duro në minutën e 87-të.

Pas kësaj ndeshje Real Madridi shkon në kuotën e 32 pikëve, dy më pak se lideri Girona që ka 34.