Një pasim trashëgimie, por në të njëjtën kohë edhe një ftesë, një letër e hapur për të qëndruar i qetë, në pritje të kësaj aventure në Katar.

Edhe Romario, një prej heronjve të Botërorit “USA ’94”, ka shumë besim te Nejmari dhe “Seleçao” e ndërtuar nga Tite, por legjenda e verdhegjelbërve kërkon të motivojë mbi të gjitha numrin 10, i cili shihet si lideri absolut dhe njeriu që mund të bëjë diferencën në këtë Kupë Bote, për të rikthyer trofeun në Brazil, pas 20 vitesh pritjeje.

LETRA E ROMARIOS:

“Nejmar, momenti po vjen. E di këtë?! Është momenti që ndan burrat nga fëmijët! E di që ke dëgjuar një mal me idiotësira, kritika, ankesa nga ana e të gjithë atyre opinionistëve që jetojnë jetën e tyre duke komentuar vetëm jetën e tjetrit. Kështu që gjëja e parë që dua të të them është:

‘Nuk dua të bëj gjeniun e situatës dhe të të vendos rregulla që duhen ndjekur mbi atë çfarë duhet të bësh dhe jo, por unë, Romario, e di shumë mirë se si ndihesh. Edhe unë mbaj mend në vitin 1993 që kisha shumë persona kundër. Por pas një viti, në Botërorin amerikan, papritur u bëra më i dashuri. Gjërat ndryshojnë…

E di gjithashtu se krahasimet dhe kritikat mund të plagosin një futbollist mahnitës si ti. Por ti duhet të kesh brenda vetes vetëm gëzimin për të luajtur futboll. Kjo është gjëja më e rëndësishme dhe mbi të gjitha këtë lumturi duhet ta kesh çdo moment në sytë e tu, në mënyrë që t’ua transmetosh edhe shokëve të tjerë të ekipit, por akoma më shumë rivalëve, pasi kështu do të të kenë më tepër frikë. Je madhështor ‘Nei’!

Kur e mendoj, të shoh ty në fushë dhe zemrën time në paqe. Sepse ti përfaqëson shpirtin dhe futbollin që të gjithë brazilianët duan të shohin. Do të përplasësh dorën në gjoks dhe do të kërkosh gjithmonë topin kur skuadra të ketë më shumë nevojë.

Asnjë më shumë se ti nuk e meriton që ta sjellë Kupën e Botës sërish në shtëpinë e saj. I gjithë populli brazilian, por edhe ata që të kritikuan, do të jenë me ty kur të ngresh trofeun”, – mbyllet letra e Romarios.