Më në fund është zbuluar shuma që presidenti i Totenhemit, Daniel Levy, është i gatshëm për t’i thënë “po” largimit të Harry Kane nga “Tottenham Hotspur Stadium”, e cila korrespondon me 100 milionë stërlina ose 117 milionë euro dhe të gjitha përnjëherë.

Burimi i kësaj panorame vjen nga prestigjiozja britanike “Times”. Por kjo është vetëm njëra anë e “medaljes”, pasi 61-vjeçari në pozitën e shefit të “gjelave” londinezë nuk pranon shlyerjen e kuotës me këste, por të gjitha njëherësh. Edhe kampet me burimet më të forta financiare do ta kishin të vështirë mbulimin kësaj shume në mënyrë të menjëhershme, aq më tepër kur politikat bavareze mbi shpenzimet janë të limituara, pavarësisht personazhit dhe rëndësisë.

Nga Gjermania përflitet se 100 milionë euro do të jetë oferta e fundit që bordi i rekordmenëve do të “servirë” në zyrën e Daniel Levyt, e cila koincidon me propozimin e tretë dhe të fundit prej tyre në adresim të londinezëve. Fillimisht Levi e shpërfilli shumën prej 70 milionë eurosh, madje duke e refuzuar në mënyrë kategorike.

Ndërsa në të dytë, Bajerni e coi në 80 milionë euro më tepër, ndonëse sërish pa rezultat. Në bazë të kësaj hipoteze i bie që Kejni të mbetet ende “mirazh” në “Allianz Arena”, gjithmonë në rast se shefi i “gjelave” nuk do të ulë hundën e pretendimeve, krahas moshës së “pykës”, 29-vjeç dhe të evitojë largimin me parametra zero përgjatë vitit të ardhshëm. Skadenca e bashkëpunimit Totenham- Kane merr fund verën e 2024-ës, sinjal se ai mund ta zgjedh destinacionin pasues pa asnjë ndikim nga klubi, përpos kostos së zeruar.

”Times” ka hedhur dritë edhe mbi vullnetin e sulmuesit se në cilin fanellë dëshiron të djersijë sezonin e ardhshëm, konkretisht Bajernin. Duket se bindja për t’u gjendur në urdhrat e Tomas Tuhelit nuk ka pasur asnjë efekt te Daniel Levi, të paktën deri në këtë pikë të tregut. Kryeshënuesi i “tre luanëve” kërkon ta mbyllë karrierën qoftë edhe me një trofe të vetëm, teksa ende vuan “thatësirën” e sukseseve me ekipin aktual, 0 medalje kampioni pas 10 vitesh në gjirin e “gjelave”.

Thuhet nga mediat anglo-gjermane se Tuchel ia ka premtuar triumfin në Champions sulmuesit anglez me Bajernin dhe ky komponent duket se ka luajtur rol specifik në bindjen e futbollit me numër “10” te londinezët.