Paris Saint-Germain ka fituar me rezultat të thellë 3-0 në udhëtim ndaj Reims, sfidë kjo e vlefshme për javën e 12-të në elitën e futbollit francez.

Mysafirët morën epërsinë që në minutën e tretë të sfidës, me Kylian Mbappe që shënoi për 1-0 pasi u shërbye mjaft mirë nga bashkëkombasi i tij Ousmane Dembele.

Vendasit arritën të barazojnë shifrat në minutën e tetë, por goli i shënuar nga Junya Ito u anulua më pas nga VAR-i për pozitë jashtë loje.

Pak minuta pa përfunduar pjesa e parë Reims pati një mundësi të artë shënimi por Donnarumma bëri ‘të pamundurën’ duke ndalur goditjen e Richardson.

Me epërsinë minimale të PSG-së u mbyll pjesa e parë e takimit.

Në minutën e 56-të, PSG shënoi për herë të dytë në këtë sfidë ku përsëri autor i golit ishte Kylian Mbappe i cili shënoi për 2-0 jo shumë metra larg portës pas asistimit të Carlos Soler.

Mbappe kompletoi het-trikun në minutën e 82-të pas një aksioni briliant nga Bradley Barcola i cili asiston Mbappen dhe ky i fundit me një gjuajte mjaft të bukur arrin të mposht portierin vendas për 3-0.

Me këtë fitore Parisi kryeson tabelën në Ligue 1 me 27 pikë të tubuara, një më shumë se Nice që gjendet në vendin e dytë me 26 dhe tri më shumë se Monaco në vendin e tretë me 23 sosh.