Paris Saint-Germaini ka arkëtuar pikë të plota (2-0)  në ndeshjen e xhiros së katërt të Ligue 1 kundër Stade de Reims që e zhvilloi si mysafir në Stade Auguste Delaune.

Kylian Mbappe ishte protagonisti i këtij takimi, pasi i shënoi të dy golat e parisienëve. Të parin e realizoi me kokë në minutën e 16-të pas një asistimi nga Angel Di Maria.

Golin e dytë, anësori francez e shënoi në gjysmën e dytë (63’) falë një asistimi fantastik nga Achraf Hakimi.

Kjo ndeshje u zhvillua nën hijen e debutimit të transferimit të madh të PSG-së, Lionel Messi, të cilin tifozët e futbollit anekënd botës prisnin ta shihnin në fushë.

34-vjeçari u inkuadrua në fushë në minutën e 66-të, në vend të Neymar, duke nisur kështu aventurën e re, për herë të parë në karrierën profesionale me fanellën e një klubi që nuk është Barcelona.

Ai ishte i përfshirë në disa aksione të ekipit të tij të ri, megjithatë nuk ia doli të debutonte me gol.

Në anën tjetër, te ekipi vendas, në gjysmën e dytë u inkuadrua mesfushori shqiptar, Valon Berisha, i cili pati një paraqitje të mirë, përkundër se skuadra e tij pësoi humbje.

Kjo ishte fitorja e katërt e Paris Saint-Germainit nga po aq ndeshje të zhvilluara dhe me 12 pikë të grumbulluara kryeson në tabelën e Ligue 1. Për Reims kjo ishte humbja e parë, pas tri barazimeve të mëparshme.