Ish-trajneri i Italisë, Marcelo Lippi ka dhënë mendimin e tij sa i përket derbit mes Juventusit dhe Interit për Scudetto këtë sezon.

Dy skuadrat janë duke garuar kokë më kokë dhe vetëm dy pikë i ndajnë këto dy skuadra pas 12 ndeshjeve të zhvilluara në Serie A. Të dy skuadrat kanë qenë pothuajse të pagabueshme deri më tash, ani pse ka dallime të qarta sa i përket mënyrës se si kanë grumbulluar këto pikë.

Inter e ka mbajtur momentumin në këtë kampanjë duke shënuar 29 gola dhe duke pësuar vetëm gjashtë në 12 ndeshjet e para. Ata gjithashtu e kanë siguruar biletën për fazën e eliminimit direkt në Ligën e Kampionëve.

Juventusi që nuk po paraqitet në garat evropiane nuk ka qenë shumë i mirë sa i përket finalizimit të golave dhe janë fokusuar më shumë në fazën e mbrojtjes. Fokusi i tyre i vetëm ishte në Serie A andaj kjo ka bërë që shumë njerëz të mendojnë se të besuarit e Allegrit kanë një avantazh të vogël në garën për titull.

Në një intervistë për Sky Sports Italia, Lippi ka diskutuar pritshmëritë që i kishte pasur para fillimit të sezonit.

Unë prisja që Juventusi dhe Interi të zhvillojnë një sezon në nivel të lartë, por për të thënë të vërteten edhe skuadrat tjera. Në vend të kësaj, duket se ekipet tjera janë pak më mbrapa në garë. Mund të ketë befasi, por mendoj se këto dy skuadra do të luftojnë për titull”, – ka thënë Lippi.

Ish-trajneri italian ka folur edhe për kualitetin që posedojnë te dy ekipet.

“Më pëlqen përqëëndrimi i Juventusit, ata nuk luajnë në mënyrë spektakolare por janë të vendosur. Interi luan më mirë dhe janë shumë të fortë.  
Ne do të kënaqemi duke i parë të luajnë ndaj njëri-tjetrit. Allegri ka treguar se ai mund të krijojë ekipe të mira, Inzaghi është duke demonstruar se ai e ka aftësinë për të drejtuar një skuadër të nivelit të tillë”, – u shpreh ai.