Shqipëria u godit orët e para të mëngjesit të së martës nga një tërmet apokaliptik me magnitudë 6.4, i cili shkaktoi vdekjen e të paktën 24 personave dhe la të plagosur mbi 600 të tjerë.

Më kritike situata u paraqit në Durrës e Thumanë, ku një numër i konsiderueshëm njerëzish u zunë poshtë nën rrënoja, shumica prej të cilëve u nxorrën të pajetë nga forcat e shpëtimit.

Të parët që janë solidarizuar me të prekurit nga tërmeti shkatërrimtar kanë qenë shqiptarët e Kosovës, të cilët jo vetëm që hapën dyert e shtëpive dhe banesave për të mirëpritur vëllezërit dhe motrat e tyre, por u dyndën drejt vendit tonë për të sjellë ndihma ushqimore dhe jo vetëm.

Një zonjë nga Peja, e cila vuante nga kanceri, ka emocionuar jo pak teksa ka telefonuar në një emision televiziv në Kosovë, ku po flitej për tërmetin që gjunjëzoi Shqipërinë.

Mes lotëve, Gjyljeta u shpreh:

Unë jam e sëmurë nga kanceri. Dëshiroj t’i dhuroj 50 euro.”
Këto fjalë të saj dhe ky gjest human kanë prekur të pranishmit në studion televizive, të cilët shpërthyen në lot.