Romelu Lukaku (1993) ka arritur në Milano për të lënë pas vetes sezonin e vështirë si lojtar i Chelseat dhe për të kompletuar rikthimin në Serie A.

Dy klubet kanë arritur marrëveshje që sulmuesi belg të luajë në formë huazimi njëvjeçar për 8 milionë euro plus bonuse dhe paga e tij do të jetë 8.5 milionë euro për një sezon.

Në rrjetet sociale janë publikuar video nga momenti i arritjes së 29-vjeçarit të martën në Itali, ku është pritur nga disa tifozë që brohoritnin emrin e tij.

Lukaku ishte i buzëqeshur, ndërkohë që i përshëndeste ata që kishin shkuar për ta pritur, me disa prej të cilëve u përshëndet edhe nga afër.

Sulmuesi do t’u nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore të mërkurën, para se ta kompletojë transferimin njëvjeçar te zikaltrit.

Kujtojmë që Lukaku u largua drejt Stamford Bridge për 98 milionë stërlina (113 milionë euro) në verën e kaluar dhe pritshmëritë ishin të mëdha. Por, ai vuajti te klubi anglez dhe mbeti jashtë formacionit startues.