Manchester United vijon të jetë në kërkim të një qendërsulmuesi për sezonin e ardhshëm dhe së fundi në skenë ka dalë edhe emri i sulmuesit të Interit, argjentinasit Lautaro Martinez (1997).

Sipas mediave angleze, pasi kanë marrë miratimin e trajnerit të ardhshëm, Eric Ten Haag, drejtuesit e “djajve të kuq” kanë trokitur në dyert e Interit për të paraqitur një ofertë prej 50 milionë eurosh plus kartonin e sulmuesit francez Anthony Martial (1995), i cili ka një vlerë merkatoje rreth 28 milionë euro.

Megjithatë zikaltrit kanë refuzuar menjëherë, megjithëse Lautaro bën pjesë në listën e lojtarëve që mund të largohen, por vetëm me para kesh dhe Interi synon të arkëtojë të paktën 70 milionë euro nga shitja e tij.

Për më tepër, Martial ka një pagë brutto mjaft të lartë te Manchester United, 13 milionë stërlina (15.5 milionë euro) në vit dhe te Interi nuk janë gati t’i ofrojnë atë shumë, ndaj do të provojnë të përqendrohen në objektiva të tjerë, kryesisht italianë.