Milani ka si objektiv blerjen e talenteve të rinj dhe kampionëve të mundshëm, që të rriten dhe të piqen. Kësisoj, synohet të krijohet baza e qëndrueshme për vitet në vazhdim.
Një nga profilet që pëlqehet nga kuqezinjtë është Dominik Szoboszlai (2000), mesfushori i Salzburgut. Ai pati mundësinë të shfaqej i plotë në fazën e grupeve të Champions, teksa u përball me kokën lart dhe pa frikë ndaj Liverpool dhe Napolit.

Siç raporton “Tuttosport”, duhen të paktën 30 milionë euro  për ta marrëm atë nga klubi austriak. Ankandi është shumë intensiv dhe, përveç Interit e Lazios në Itali, përfshin Leipzig, Borussia Dortmund, Arsenal dhe Liverpool.
Një “as nën mëngë” për Milanin mund të ishte ardhja eventuale e Ralf Rangnick, trajnerit dhe menaxherit me një ndikim të madh në botën e “Red Bull”, i cili përfshin edhe Salzburgun, natyrisht.