Kombëtarja shqiptare e futbollit ka mbyllur me një barazim pa gola duelin ndaj Gjeorgjisë, në një ndeshje ku pritej më shumë nga skuadra e drejtuar nga Edi Reja.

Pritej një lojë ofensive nga kuqezinjtë, të cilët në fillimin e takimit kontrolluan manovrën, por nuk gjenin dot të çara përballë miqve të cilët kishin marrë masat duke larguar Brojën dhe Manajn nga zonat e rrezikut. Kështu në pjesën e parë të lojës, për të parë një mundësi të vërtetë shënimi duheshin pritur minutat e fundit kur Çekiçi lëshoi në gjuajtje mbi traversë.

Në pjesën e dytë, Shqipëria pat më shumë iniciativë kryesisht falë aksioneve individuale të Cikalleshit, apo gjuajtjeve nga distanca të Asllanit. Por përsëri ishte shumë pak për të thyer murin e gjeorgjianëve, të cilët provuan pa shumë sukses të shënonin përballë Strakoshës.

Ndaj në fund, barazimi 0-0 ishte mëse i pritshëm, në një duel ku mbrojtja bëri punën e saj, ndërsa sulmi vazhdon të jetë problemi kryesor për të cilin Edi Reja nuk gjen zgjidhje, një sinjal jo pak shqetësues para ndeshjeve të Ligës së Kombeve.

Shqipëri – Gjeorgji 0-0

Shqipëria: Strakosha, Ismajli, Kumbulla, Gjimshiti, Roshi, Hysaj, Asllani, Ramadani, Çekiçi, Broja, Manaj. Tr: E. Teja

Gjeorgjia: Mamardashvili, Dvali, Çabradze, Tsitaishvili, Kashia, Kverkvelia, Aburjania, Davitashvili, Kvekveskiri, Kazaishvili, Volkov. Tr: U. Sanjol