Kampionati gjerman do të ulë siparin këtë fundjavë në raundin e fundit mbi vitin kalendarik 2022, si pasojë e zhvillimit të kompeticionit më të rëndësishëm në rang përfaqësuesesh, Kupa e Botës. Të besuarit e Nagelsmanit do të duelojnë në “VELTINS-Arena” përballë Shalkes, e vlefshme mbi xhiron e 15-të të Bundesligës.
Bavarezët vijnë pas një sërë goleadash në ligën vendëse dhe triumfi ndaj “Bluve mbretërorë” do të ishte mbyllja ideale. Kampionët në fuqi në javët e fundit kanë marrë trajtën e një ekipi jashtëtokësor, pavarësisht kundërshtarit dhe tempullit ku performojnë. Strategu 35-vjeçar ka dalë në deklaratë për shtyp në prag të duelit në fjalë, duke u ndalur në element të caktuar, aty ku vështirësitë në gjysmën e parë të sezonit dhe situata e Manesë ishin në qendër të diskutimeve:
NDIKIMI I MEDIAVE: “Mund të them me bindje se gjysma e sezonit aktual ka qenë më e vështira në karrierën time profesionale, ku edhe mediat kanë pasur një efekt shumë negativ në projektimin dhe aplikimin e skemave, pas mbizotërimit të frymës shtypëse nga dita në ditë. Është fakt dhe nuk mund të them gjëra, të cilat mund të duken mirë, por nuk i përkasin së vërtetës. Tashmë jemi në rrugën e duhur dhe gjithçka i përket së shkuarës. E rëndësishme është arritja e objektivit përpara Botërori, vendi i parë në tabelë”, – citon ish-trajneri i Lajpcigut.
SITUATA E MANE – “Ende nuk ka një përgjigje zyrtare nga ana e stafit mjekësor mbi shkallën e dëmtimit dhe kohën e rikuperimit. Ftesa e Senegalit për të më duket e çuditshme. E kuptoj dëshirën e tyre për ta pasur në gjirin e vet, marrë parasysh ndikimin e tij tek ata. Duhet të tregohemi më të logjikshëm në arsyetimin e një dëmtimi të tillë. Unë jam kritik, pasi jo gjithçka mund të shkojë siç pritet, aq më tepër ku ai ende po lufton mes dhimbjesh”, – pohonte i shqetësuar arkitekti i këtij Bajerni të frikshëm.
RIKTHIMI I DE LIGT – “Seancat e fundit përgatitore kanë qenë intensive dhe ai ka reaguar në mënyrë të shkëlqyer, çka më jep siguri në vendosjen e tij si titullar në ‘VELTNI-Arena’”, – citonte gjermani.
SJELLJA E PAVARD – “Më se normale duke njohur edhe egon e tij për të luajtur në çdo takim të mundshëm. Kur je pjesë e një klubi të madh si Bajerni duhet të kuptosh se vendi i titullarit nuk është i lehtë. Pavar e ka treguar se e meriton të jetë pjesë jona dhe këtë gjë do të vazhdoj ta përsëris”, – theksonte plot siguri Juliani.
SCHALKE – “Dy javët e fundit kanë treguar paraqitje të mirë në krahasim me pjesën tjetër të sezonit. Çdo ekip përpiqet të japë më të mirën kur luan ndaj nesh, edhe Shalke bën pjesë në këtë grupim”, – përfundoi trajneri më i mirë i Bundesligës në sezonin e kaluar.