Shqiptarët mund të fillojnë të udhëtojnë drejt Bashkimit Evropian nga 1 korriku, ditë kur blloku do të hapë kufijtë e jashtëm. Deri tani është hartuar një listë paraprake, pasi ka shqetësime në lidhje me raportimin e të dhënave nga disa vende. Nga Ballkani Perëndimor nuk do të lejohen të udhëtojnë drejt BE-së qytetarët e Maqedonisë së Veriut, ndërsa në nivel global të ShBA-së, Rusisë dhe Brazilit.

Bashkimi Europian e ka përfshirë Shqipërinë në listën e vendeve për të cilat do të hapet kufiri duke filluar nga 1 korriku. Nga Ballkani Perëndimor nuk do të lejohen vetëm qytetarët e Maqedonisë së Veriut, ku numri ditor i infektimeve të reja mbetet shumë i lartë. Të përjashtuar janë gjithashtu ShBA-ja, Rusia dhe Brazili, ndërsa nga ana tjetër do të lejohen qytetarët e Kinës dhe Indisë.

Një vendim i tillë nuk u prit mirë në Uashington, ndonëse më herët presidenti Trump ka urdhëruar ndalimin e udhëtimit të evropianëve drejt Shteteve të Bashkuara.

Vendimi përfundimtar nuk është marrë ende për shkak se disa zyrtarë kanë ngritur shqetësime në lidhje me besueshmërinë e të dhënave të raportuara nga disa vende. Për këtë do t’i kërkohet një mendim Qendrës Europian për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dhe më vonë blloku do të paraqesë listën përfundimtare.

Vendet e bllokut kanë hapur kufirin e brendshëm dhe atë të zonës Shengen që nga 15 qershori, ndërsa Komisioni Europian ka propozuar hapjen graduale të kufirit të jashtëm, përfshirë dhe për vendet e Ballkanit Perëndimor nga 1 korriku.

Që prej heqjes së kufizimeve në Europë, numri i të infektuarve të rinj është rritur me shpejtësi dhe disa vende po nxitojnë të rikthejnë kufizime të pjesshme të lëvizjes në përpjekje për të mbajtur nën kontroll pandeminë. Vendime të tilla u morën në Gjermani dhe në Spanjë.

Vazhdimisht Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar për heqjen graduale të kufizimeve, ndërsa së fundi shprehu shqetësimin se rritja e rasteve të reja me kornavirus mund të mbingarkojë spitalet e për pasojë të kthehet sërish gjendja e fillimit të pandemisë.

Lista e plotë e vendeve, shtetasve të të cilëve do të lejohen të hyjnë në Evropë, sipas draft listës, vijon si më poshtë:

  • Vatikani
  • Monaco
  • Mali i Zi
  • Andorra
  • Serbia
  • Bosnja dhe Hercegovina
  • Ukrainë
  • Shqipëri
  • Turqi
  • Kosovë
  • Republika Popullore Demokratike e Koresë
  • Turkmenistan
  • Vietnam
  • Kinë
  • Tajlandë
  • Myanmar
  • Mongoli
  • Japoni
  • Korea e jugut
  • Gjeorgji
  • Butan
  • Liban
  • Indonezi
  • Uzbekistan
  • Indi
  • Taxhikistan
  • Kazahstan
  • Palau
  • Zelandë e Re
  • Australi
  • Dominica
  • Bahamas
  • Shën Lucia
  • Uruguay
  • Xhamaika
  • Kubë
  • Guyana
  • Paraguaj
  • Venezuela
  • Nikaragua
  • Kosta Rika
  • Kanadë
  • Angolë
  • Tunizi
  • Namibia
  • Uganda
  • Mozambik
  • Mauritius
  • Zambia
  • Rwanda
  • Etiopi
  • Marok
  • Algjeri
  • Egjipt