Reagimi i një nuseje pasi dhëndri kërceu me të ëmën gjatë dasmës ka nxitur një debat nëse veprimi i saj ishte i justifikuar apo thjesht një çmenduri. Ngjarja u postua në Reddit nga një përdorues amerikan, i cili qartësoi se gjithçka ndodhi para një viti, por atij i bënte ende përshtypje.

Në postim, ai shpjegon se nusja ia kishte bërë mëse të qartë dhëndrit që s’i lejohej të kërcente me nënën e tij në dasmë, ngaqë ajo vetë s’kërcente dot me babain, i cili ishte ndarë nga jeta. Sidoqoftë, dhëndri kërceu me të ëmën.

“Nusja, që është shoqja e të dashurës sime, humbi babain në një aksident me makinë kur ishte e vogël. I fejuari i saj s’e njohu kurrë babain e saj dhe ky fakt ishte me shumë rëndësi gjatë planifikimit të dasmës,” shkruan përdoruesi i Reddit.

“Nuk donte ta shoqëronte kush në altar, eci e vetme. Dhe sipas meje, duke marrë parasysh rrethanat, ishte zgjedhja e duhur, edhe pse e pazakontë.

“Sidoqoftë, ishte folur se të fejuarit të saj nuk i lejohej në asnjë mënyrë të kërcente me nënën e tij sepse ajo s’mund të kërcente me babain.”

Vjehrra e nuses, natyrshëm, u mërzit nga kërkesa e çuditshme, por nusja refuzoi të hapte rrugë.

Ditën e dasmës nuk ishte planifikuar një moment për dhëndrin dhe nënën e tij, por ja që ndodhi dhe ata kërcyen bashkë.

Familja e dhëndrit nuk ishte informuar mbi kërkesën e vetme që kishte nusja dhe u mblodh rreth nënë e bir që kërcenin një vals.

Nusja u mërzit dhe u largua nga dasma e përlotur. “Iku me vrap nga salla dhe u fut në banjë. U grind aq shumë sa i ra rimeli, filloi të shante e të përdorte fjalë të ndyra,” shkruhet në postim.

Përtej incidentit të pakëndshëm, çifti është ende i martuar dhe së shpejti do të bëhen prindër.