Chelsea po kërkon të nënshkruajë me një sulmues në afatin kalimtar të dimrit dhe tashmë ka identifikuar lojtarin ideal.

Sipas mediumit The Guardian dy objektivat e tyre kryesorë për sulmin janë nigeriani Victor Osimhen (1998) i Napolit dhe anglezi Ivan Toney (1996) i Brentford.

Blerja e njërit prej tyre është e vështirë në janar pasi blutë do të duhet të paguajnë shumë para.

Për Tooney, Brentford kërkon 100 milionë stërlina (116 milionë euro) ndërsa për Osimhen, De Laurentiis kërkon 150 milionë euro, plus që do të duhet t’i ofrojnë edhe rroga të mëdha nigerianit apo anglezit.

Kjo do ta shihte klubin të thyejë rregullat e Fair Play Financiar.

Por një alternativë ka dalë dhe është sulmuesi i Sporting Lisbonës, suedezi Viktor Gyokeres (1998).

25-vjeçari ka shënuar 14 gola dhe 5 asistime në 17 paraqitje në të gjitha garat deri më tani duke u bërë emër i preferuar i klubit londinez.

Suedezi iu bashkua Sporting Lisbonës këtë verë me një tarifë prej 24 milionë euro. Nuk është e qartë se sa do të kërkojë ekipi portugez për Gyokeres, por ai ka klauzolën prej 100 milionë eurosh kështu që nuk do të jetë i lirë.

Çuditërisht, sulmuesi luajti për Brighton. Ai kaloi tre vjet me ‘Pulëbardhat’, duke bërë vetëm 8 paraqitje ndërmjet huazimeve të ndryshme.