Në Stamford Bridge, Chelsea dhe Liverpooli e kanë zhvilluar ndeshjen e madhe të javës së 21-të në Ligën Premier, e cila përfundoi me rezultat të barabartë (2-2).

Ishin 45 minuta të zjarrta në gjysmëlojën e parë të kësaj sfide në të cilën u shënuan katër gola, dy nga secila skuadër.

Mysafirët ishin të parët që e gjetën rrjetën përmes Sadio Mane (9’), ndërsa më pas Mohamed Salah (26’) e dyfishoi epërsinë pas asistit nga Alexander Arnold.

Mirëpo, presioni i Bluve në mbyllje të fraksionit të parë ishte i madhe dhe në këtë mënyrë ia dolën ta barazonin rezultatin.

Fillimisht Mateo Kovacic (42’) me një goditje nga distanca dhe me ndihmën e shtyllës e ngushtoi epërsinë, kurse më pas Christian Pulisic (45’+1)  i asistuar nga N’Golo Kante e barazoi rezultatin

Redsat patën më shumë nga loja në gjysmën e dytë me dy intervenime të portierit Edouard Mendy, i cili ua mohoi golat dyshes Mane dhe Salah.

Pulisic rrezikoi në anën tjetër me një vole, por kësaj radhe ne vend ishte portieri i skuadrës tjetër, Caoimhin Kelleher. Blutë bënë edhe disa tentativa në mbyllje të takimit, por nuk arritën ta shënonin golin e fitores.

Pas këtij barazimi Chelsea ka 43 pikë, ndërsa Liverpooli ka 42 pikë por një ndedhje më pak ndërsa kryesuesi Manchester City qëndron larg me 53 pikë.