Manchester United ka barazuar 1-1 në udhëtim te Southamptoni në kuadër të javës së dytë në Ligën Premier.
Pas vetëm gjysmë ore lojë në ‘St. Mary’s Stadium’, vendasit kaluan në epërsi falë një auto-goli nga Fred.
Manchester United më pas tentoi t’i barazonte shifrat, mirëpo nuk ia doli të thyente mbrojtjen e ngjeshur të Soputhamptonit në 45 minutat e parë.
Në pjesën e dytë, ishte një pamje tjetër, derisa Djajtë e Kuq ia dolën t’i barazonin shifrat në 1-1.
Ishte Mason Greenwood që pranoi një asistim nga Paul Pogba në minutën e 55-të, për ta futur më pas topin në rrjetë.
Pesë minuta pas golit të shënuar, mesfushori francez lëshoi një shans të mirë, duke goditur topin, por që përfundoi jashtë shtyllës së majtë.
Një rast edhe më të mirë e kishte edhe Bruno Fernandes (66’), por që u bllokua nga mbrojtja kundërshtare.
Më pas Southamptoni e testoi edhe një herë David de Gean me anë të Adam Armstrong, por spanjolli ishte në vend për të bërë pritje brilante në minutën e 74-të.
Deri në fund, ishin vendasit që tentuan t’i marrin tre pikë, mirëpo takimi u mbyll me shifrat e barabarta, duke marrë që të dyja nga një pikë.
Pas javës së dytë, Manchester United gjendet aktualisht në vendin e katërt me katër pikë, e në javën e tretë takohet me Wolvesin.
Tottenham Hotspur ka arkëtuar pikë të plota në udhëtimin në Molineux Stadium përballë Wolverhampton Wanderers.
Skuadra mysafire ia doli të shënonte një gol në pjesën e parë dhe e ruajti rezultatin deri në fishkëllimin e fundit të gjyqtarit (1-0).
Një ndërhyrje të rëndë të Jose Sa, gjyqtari Stuart Attwell e ndëshkoi me penallti, ndërsa Dele Alli u tregua i saktë nga pika e bardhë (10’).
Menjëherë pas pati një situatë të dyshimtë penallti në anën tjetër, mirëpo pas konsultimit të VAR-it u konfirmua se nuk ishte njëmbëdhjetëmetërsh për Wolves.
Vendasit patën disa raste në fillim të pjesës së dytë, por që nuk u konkretizuan. Pastaj për një periudhë rrezikoi Tottenhami, sidoqoftë deri në mbyllje të takimit nuk pati gola të tjerë.
Kjo ishte fitorja e dytë e Tottenham Hotspur në dy xhirot e parë që shënon një fillim të mbarë për ekipin e Nuno Espirito Santos.
Ndërkaq Wolverhampton Wanderers nuk e ka filluar mirë edicionin 2021/2022, pasi në dy ndeshjet e para ka regjistruar dy humbje.