Liverpool ka vuajtur shumë përballë skuadrës së rikthyer në elitë Leeds United, por në fund kanë marrë fitore me rezultat 4-3.

Liverpooli e nisi për mrekulli takimin, ku vetëm pas katër minutash lojë kaluan në epërsi kur Mohamed Salah shënoi nga penalltia për 1-0.

Gëzimi i vendasve nuk zgjati më shumë se tetë minuta, pasi Jack Harrison me një gol të bukur barazoi gjithçka 1-1.

Ishte minuta e 20-të e takimit, kur The Reds rikthyen epërsinë pas golit të shënuar nga Van Dijk.

Por mbrojtësi holandez bëri një gabim trashanik 10 minuta më vonë dhe Patrick Bamford shënoi për 2-2.

Megjithatë vendasit arritën të shënonin tre minuta më vonë me anë të Mohamed Salah për 3-2, me të cilin rezultat u mbyllën edhe 45 minutat e para të kësaj sfide.

Ishte minuta e 67-të e ndeshjes kur Helder Costa asistoi për Klich i cili me një goditje të fortë barazoi shifrat në 3-3.

Kur ndeshja po shkonte drejt barazimit, Liverpool fitoi edhe një penallti nga e cila i saktë u tregua Salah.

Egjiptiani shënoi golin e fitores dhe njëherit kompletoi het-trickun e parë për këtë edicion në Ligën Premier.

Kësisoj The Reds e nisin mbarë edicionin e ri, ndërsa Leeds United të rikthyer në elitë treguan se kanë potencial dhe do të jenë kockë e fortë për secilin kundërshtar.