Liverpooli e ka mposhtur Manchester Unitedin me rezultat të thellë 5-0 në Old Trafford në kuadër të javës së nëntë në Ligën Premier.

Redsat e filluan mjaft mirë takimin duke bërë presion mbi mbrojtjen vendase. Ishte minuta e pestë e takimit, kur Naby Keita tundi rrjetën e Djajve të Kuq. Mesfushori pranoi një asistim nga Mohamed Salah para se të shënonte.

Një harkim të ulët në zonë të Trent Alexander-Arnold e priti Diogo Jota për ta dyfishuar epërsinë e skuadrës mysafire (13’).

Nuk mund të mungonte goli i Mohamed Salah (38’), të cilit ia ktheu shërbimin Keita për golin e tretë në këtë takim.

Por, anësori egjiptian nuk u ndal me kaq. Në minutat shtesë të gjysmës së parë realizoi edhe golin e dytë personal, pasi pranoi një top nga Jota dhe goditja ishte thjeshtë që u ndal në rrjetë.

Në 45 minutat e dytë, Liverpooli sërish ishte i furishëm, derisa Salah realizoi het-trikun e tij në minutën e 50-të.

Pas vetëm dy minutash, Djajtë e Kuq arritën të tundin rrjetën e mysafirëve me anë të Cristiano Ronaldos, por që ajo u anulua nga VAR-i për pozitë jashtë loje.

Gjërat më pas për Manchester Unitedin u përkeqësuan, pasi Paul Pogba u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 60-të për ndërhyrje të palejuar.

Djelmoshat e Jurgen Kloppit kishin mundësinë që të shënonin edhe gola të tjerë, mirëpo nuk arritën t’i konkretizonin ato.

Pas javës së nëntë, Liverpooli është në vendin e dytë me 21 pikë, një më pak se lideri Chelsea, ndërsa Manchester Unitedi është në të shtatin me 14 sosh.

Në xhiron e dhjetë, The Reds do të takohen me Brightonin, ndërsa Djajtë e Kuq do të kenë punë me Tottenhamin.