Manchester United dhe Everton kanë barazuar me rezultat 3-3 në kuadër të javës së 23-të në Ligën Premier.

Ndeshja mes Manchester United dhe Everton doli te jetë spektakolare, ku nuk mungoi ritmi, rastet dhe golat.

Zhvillohej minuta e 24-të, kur Marcus Rashford prodhoi një harkim të bukur në zonë, e ku Edinson Cavani u ngrit dhe me një goditje me kokë shënoi për 1-0.

Aaron Wan-Bissaka punon bukur në favor të Bruno Fernandes i cili shënon për 2-0 në minutën e fundit të pjesës së parë.

Kur pritej që Manchester United të mbyllte ndeshjen, Evertoni u kthye shumë shpejtë në lojë.

Abdoulaye Doucoure ishte në vendin e duhur dhe në kohën e duhur për të shënuar për 2-1 në minutën e 49-të.

Pas vetëm tre minutash Evertoni barazoi shifrat. James Rodriguez ishte ai që shënoi për 2-2 nga një pozitë shumë e volitshme.

Por United ktheu epërsinë në minutën e 70-të kur njëharkim i Luke Shaw gjeti Scott McTominay, i cili nga afër shënoi për 3-2.

Të dy skuadrat kishin raste deri në fund, por Evertoni gjeti golin dhe atë në minutën e gjashtë shtesë. Dominic Calvert Lewis shënoi për 3-3.

Me këtë barazim United ka 45 pikë, 2 më pak se lideri Manchester City, por që qytetarët kanë dy ndeshje më pak.