Manchester Unitedi ka arkëtuar pikë të plota në udhëtimin te West Ham United (2-1), në ndeshjen e javës së pestë në Ligën Premier.

Për vendasit shënoi Mohamed Said Benrahma (30’). Sulmuesi portugez, Cristiano Ronaldo ka shënuar golin e barazimit në minutën e 35-të të ndeshjes.

Inkuadrimi i Jesse Lingard (në minutën e 73-të në vend të Paul Pogbas) i ndryshoi gjërat.

Ai shënoi golin e fitores me një goditje të bukur (89’).

Porse para fishkëllimës së fundit të gjyqtarit kishte momente mjaft interesante në fushë. Fillimisht, CR7 u rrëzua në zonë, por arbitri nuk e konsideroi penallti.

Më pas, në minutat shtesë, Luke Shaw e ndali topin me dorë brenda gjashtëmbëdhjetëmetërshit dhe pas konsultimit të VAR-it u akordua penallti.

Mark Noble hyri në fushë vetëm që ta ekzekutonte penalltinë, mirëpo David de Gea e ndali goditjen e tij duke ia siguruar tri pikë Unitedit.

Në takimin tjetër të orës 15:00 Brighton mposhti 2-1 Leicester Cityn.

Golat për vendasit u shënuan nga Maupay 35’ me penallti dhe Welbeck 50’ ndërsa për miqtë shënoi i zakonshmi Vardy 61’.