Tri pikë të reja për Manchester Unitedin pas fitores ndaj Nottingham Forestit (3-0) në Old Trafford në ndeshjen e xhiros së 17-të në Ligën Premier.

Djajtë e Kuq shënuan dy gola të njëpasnjëshëm në fraksionin e parë të lojës për ta siguruar triumfit që në 45 minutat e para.

Christian Eriksen dhuroi një harkim të ulët nga këndi drejt Marcus Rashfordit, i cili e dërgoi topin në portë (19’).

Tri minuta më pas (22’), Rashford – kësaj radhe në rolin e asistuesit – pasoi te Anthony Martial, i cili e dyfishoi epërsinë.

Skuadra mysafire ia doli ta fuste topin në rrjetë në fund të pjesës së parë përmes Willy Boly, mirëpo pas konsultimit të VAR-it, goli u anulua për pozitë jashtë loje.

Vendasit vazhduan të ishin të rrezikshëm edhe në pjesën e dytë, megjithatë më shumë ishin të interesuar që ta menaxhonin ruajtjen e rezultatin, porse arritën ta shënonin edhe një gol deri në fund.

Fred u inkuadrua në lojë në minutën e 77-të (në vend të Christian Eriksen) dhe pas dhjetë minutash lojë u regjistrua në listën e golashënuesve (87’). Asistues ishte Casemiro që dhuroi një pasim preciz në zonë.

Manchester Unitedi qëndron në pozitën e pestë në tabelë, por pas kësaj fitore e ka ngushtuar diferencën në një pikë me Tottenham Hotspur që mban vendin e katërt.

Nottingham Foresti mbetet në zonën e rrezikut për të rënë nga elita, megjithëse dallimi në pikë me ekipi që ndodhen në vendet jashtë rrezikut është i vogël.

Rikthimi i sezonit në Ligën Premier e ka rikthyer Chelsean te fitorja që arriti të triumfojë përballë Bournemouthit (2-0) në Stamford Bridge.

Blutë vinin pas tri humbjesh radhazi në kampionatin anglez dhe në dy sfidat e mëparshme kishin barazuar, që do të thotë se nuk e kishin shijuar fitoren në pesë ndeshje.

Rezultati u zhbllokua në minutën e 16-të kur Kai Havertz pranoi një asistim para portës nga Raheem Sterling dhe e futi në rrjetë.

Rezultati u dyfishua pas 24 minutash lojë. Havertz reagoi më mirë duke e kthyer topin për Mason Mount dhe ky i fundit shënoi një gol të bukur nga jashtë zonës.

Në fund të gjysmës së parë, Christian Pulisic ia doli ta fuste topin në portë, mirëpo gjyqtari Simon Hooper e anuloi golin për shkak të një ndërhyrjeje të palejuar.

Gjysma e dytë ishte më pak dinamike se fraksioni i parë, megjithatë nuk munguan rastet për të shënuar. Por, në këtë pjesë të lojës nuk pati gola.

Me këtë fitore, Chelsea është ngritur në kuotën e 24 pikëve, aq sa ka edhe Brightoni në vend të shtatë në tabelë. Bournemouthi qëndron në pozitën e 14 me 16 pikë të grumbulluara.