Manchester City ka luajtur baras me rezultat 0-0 ndaj Arsenalit në kuadër të javës së 30-të në elitën e futbollit anglez.

Pjesa e parë me ishte mjaft e qetë, me ‘Qytetarët’ që pothuajse gjatë tërë kohës patën posedimin e topit por pa arritur të krijojnë ndonjë rast konkret për gol.

‘Topçinjtë’ në anën tjetër patën dy mundësi shënimi përmes Gabriel Jesus por braziliani nuk u tregua i saktë përballë portës.

Pep Guardiola në minutën e 27-të bëri një zëvendësim të detyrueshëm pas lëndimit të Nathan Akes, vendin e të cilit e zuri Rico Lewis.

Diçka më ndryshe nuk ishte as pjesa e dytë, pasi ritmi i lojës ishte mjaft i zbehtë dhe munguan rastet për gol.

Të dy trajnerët u munduan që të bëjnë disa ndryshime në formacion për të ndryshuar ndeshjen, por pa sukses.

Në fushë nuk pati një fitues, por jashtë saj fitoi Liverpooli, pasi tani “Të Kuqtë” do mbajnë lidershipin në Ligën Premier me 67 pikë të grumbulluara.

Arsenali tani vazhdon në pozitën e dytë me 65 pikë të grumbulluara, ndërsa Man City në të tretin me 64 sosh.