Manchester Unitedi ka arritur të marrë vetëm një pikë në barazimin 1-1 në udhëtimin e vështirë te Newcastle United në St Jacobs Parc.

Vendasit shënuan të parët përmes Allan Saint-Maximin (7’), i cili u asistua nga Sean Longstaff.

Më vonë edhe Callum Wilson e futi topin në rrjetë për ekipin nikoqir, mirëpo goli u anulua për pozitë jashtë loje. Kështu, me epërsi minimale për ekipin vendas, skuadrat shkuan në pushim.

Me të filluar pjesa e dytë, golashënuesi Saint-Maximin rrezikoi sërish, por David de Gea ia mohoi golin. Portieri i Djajve të Kuq bëri dy intervenime tjera për të ndalur goditjet e Ryan Fraser e Saint-Maximin.

Edinson Cavani rezultoi zëvendësim i duhur në pjesën e dytë, pasi arriti ta shënonte golin e barazimit nga një top i kthyer (71’).

Ai ka mundur t’i kalojë mysafirët në epërsi, por goditja e tij nuk shkoi në portë.

De Gea vazhdoi me pritjet e mrekullueshme, derisa lojtarët vizitorë patën një mundësi të mirë shënimi në minutat shtesë.

Manchester Unitedi tani ka 28 pikë në vendin e shtatë, aq sa ka edhe West Ham United në vendin e gjashtë, teksa vendi i katërt Arsenali është 7 pikë larg.

Newcastle United ka mbetur në vend të 19-të me 11 pikë, derisa skuadra që ndodhet menjëherë jashtë rrezikut ka dy pikë më shumë.