Real Madridi ka fituar në udhëtimin më të vështirë në këtë fund sezoni pasi ka mposhtur Athletic Bilbaon 0-1.

Pjesa e parë nuk solli thuajse asgjë me dy skuadrat që krijuan shumë pak raste shënimi.

Karim Benzema rrezikoi i pari për mysafirët, por që goditja e tij nuk përfundoi në portë.

Ndërkohë te vendasit raste patën Inaki Williams e Raul Garcia por pa sukses.

Në pjesën e dytë Reali e mori lojën në kontroll dhe në minutën e 72-të, fituan penallti pasi Marcelo u pengua në zonë.

I saktë nga pika e bardhë si gjithmonë ishte kapiteni Sergio Ramos që kaloi madrilenët në epërsi.

Vendasit tentuan të rikthehen në lojë duke rrezikuar me Garcian, Munianin e Williams, por pa sukses.

Reali deri në fund arriti ta menaxhoj mjaft mirë ndeshjen duke arritur një fitore të madhe.

Me këto 3 pikë, Reali ka bërë një hap të madh drejt titullit të kampionit pasi tani ndodhet në pozitën e parë në tabelë me 77 pikë, 7 më shumë se Barcelona që ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

Bilbao në anën tjetër janë në vendin e 8-të në tabelë me 49 pikë dhe mbeten ende me shpresë se do të zënë një vend që i dërgon në garat evropiane.