Një incident i rëndë mësohet se ka ndodhur në Greqi, ku një adoleshent shqiptar ka rënë pre e dhunës së ushtruar nga një punonjës i policisë helene.
18-vjeçari me iniciale N.P. ka denoncuar ngjarjen në median greke “3 Point”, ku ka pretenduar se është dhunuar nga një polic grek, pasi i ka treguar se është shqiptar.
Adoleshenti shqiptar ka treguar se po ecte orët e vona të mbrëmjes në Patisiona, një ndër rrugët kryesore të Athinës, së bashku me një bashkëmoshatarin e tij grek, i cili kishte ditëlindjen, kur u ndaluan nga një patrullë e policisë greke.
Policët i futën më pas në një rrugicë, ku iu kërkuan letërnjoftimet. Të rinjtë nuk kishin me vete mjetet e identifikimit, ndërsa policët nisën procedurat përkatëse.
Më pas një prej policëve i pyeti se nga ishin. 18-vjeçari shqiptar është shprehur se pasi i tregoi se ishte me origjinë nga Shqipëria, polici grek e kapi për fyti dhe nisi ta godasë me grushte.
Më pas dy adoleshentët u prangosën dhe u dërguan në stacionin policor të Kipselit në Athinë, ku kontaktuan të afërmit për të konfirmuar identitetin e tyre.
Kur prindërit e fëmijëve mbërritën në komisariat, mbetën të shokuar. Policët e përfshirë në arrestimin e dy adoleshentëve ishin zhdukur dhe nuk ndodheshin në komisariat.
Një nga oficerët e policisë iu lut prindërve që të mos ngrenin padi, ndërsa nga ana tjetër kërcënonte fëmijët të mos tregonin gjë.
Ndaj punonjësve të policisë të përfshirë në këtë skandal është ngritur padi nga familjarët e dy adoleshentëve, ndërsa mbi ta ka nisur edhe një hetim.
Ngjarja ka ndodhur tre ditë më parë.
Burimi: 3 Point Magazine|JOQ Albania