Mauricio Sarri është një nga ata tipa kokëfortë, që sa herë pyetet, nuk ka frikë që të bëjë diplomatin, përkundrazi i thotë të gjitha troç, ashtu sikurse bëri në intervistën për “Repubblica”-n, ku ai preku temat e asaj që nuk shkon në futbollin italian, Juventusin, Lacion, Arabinë Saudite etj. Shkurt, trajneri i Lacios nuk është kurrë banal.

Kam 5 vite që flas dhe them se po luhet shumë, por më akuzojnë se kërkoj vetëm justifikime dhe kaq. Ndërkohë sot, pas asaj që i ndodhi Gavit, spanjollëve duket sikur u ka rënë bota mbi kokë dhe e kanë etiketuar si ‘Virusi UEFA’. Gjithsesi, unë shpresoj vetëm që dikush tani e tutje, do të ketë ndershmërinë intelektuale dhe të pranojë se disa gjëra i kam thënë drejtë gjatë të gjithë jetës sime. Niveli i futbollit italian? I vetmi futboll i qëndrueshëm sot është ai anglez, më tradicionali, ku pasditeve të së shtunës nuk ka ndeshje në televizor, sepse njerëzit mbushin edhe stadiumet e kategorive të vogla. Finalja e FA Cup është ndeshja më e ndjekur në botë pas finales së Ligës së Kampionëve, sepse pavarësisht se mbi 100-vjeçare, ajo ka pasur gjithmonë të njëjtat rituale dhe luhet në ‘Uembli’, jo në Arabi për një grusht më shumë parash. Në të njëjtën kohë ka një përpjekje për të parandaluar që lëvizja e futbollit italian të bëhet globale. Pra, ata janë të gjithë të pasur, ndërsa të pasurit tanë janë të varfërit e Europës.
Futbolli është një sport emocional, nëse i heq emocionet, në nivel televiziv sigurisht që nuk është shfaqja më e mirë në botë. Emocionin e mban gjallë fëmija që shkon në stadium, por nuk ka të ardhme nëse synon vetëm të kesh publik në ndeshje të rëndësishme. Sa ndeshje duhet të luajë një futbollist në një vit? Më së shumti 50. Mund të fillojmë të paktën me gjëra të vogla, si anullimi nga turnetë verorë dhe kthimi i Kupës së Italisë në gusht edhe për skuadrat e mëdha, duke i bërë ato që të luajnë në fushat e skuadrave të Serisë C. Në këtë mënyrë edhe këto klube, duke pasur një rival të fortë do të mbushnin stadiumin dhe do të fitonin para për të mbijetuar gjatë të gjithë vitit. Por jo, sepse këtu te ne do të justifikoheshin duke thënë se ka një problem me rendin publik. Kjo do të thotë se, Juventusi e ka për ofendim të shkojë të luajë në Kampobaso për shembull. E lëmë edhe Anglinë… Po le të shkojmë në Gjermani, ku Bajerni vjet u eliminua nga një skuadër e kategorisë së tretë. Ky është futbolli, emocioni i sportit më të bukur në botë, jo ky i yni…”.

Lidhur me të ardhmen e tij, Sarri, shpreson të vazhdojë gjatë te Lacio:

Unë do të doja të qëndroja gjatë, por nuk varet vetëm nga unë. Arabia thërret? Të shohim… Atje më duket se lejohet të pihet duhan në fushë, kështu që do e marr në konsideratë”, – nënvizon Sarri duke qeshur, teksa flet edhe për gabimin më madh të karrierës.

Rikthimi në Itali ishte një gabim i madh për mua. Te Juventusi nuk u argëtova, sepse aty është gjithçka e paracaktuar, duhet të fitosh Ligën e Kampioneve… Por ndërkohë unë fitova titullin me një skuadër në fund cikli. Te Juventusi më morën për të ndryshuar stil, por nuk mund ta bësh këtë nëse nuk ndryshon bindjen”, – përfundoi Sarri.