Napoli dhe Milani dolën baraz 2-2 në ndeshjen e zhvilluar në “Diego Armando Maradona” në kuadër të javës së dhjetë në Serie A.

Milan rrezikoi i pari, kur në minutën e dytë Olivier Giroud pati një mundësi shënimi por goditja e tij u bllokua.

Në minutën e 19-të, Stefano Pioli u detyrua të bëjë zëvendësimin e parë në këtë sfidë pas lëndimit që pësoi Pierre Kalulu dhe në vend të tij hyri Marco Pellegrino.

Golin e avantazhit Milani e gjeti në minutën e 22-të përmes Olivier Giroud i cili me kokë shënoi për 1-0 pas asistimit fantastik të amerikanit Christian Pulisic.

Milani dyfishoi epërsinë në minutën e 31-të ku përsëri protagonist ishte Olivier Giroud.

Francezi shfrytëzon për mrekulli krosimin e Davide Calabrias për të shënuar përsëri me kokë për ta çuar rezultatin në 2-0.

Napoli nuk e pranoi këtë disavantazh dhe reagoi mirë sapo filloi pjesa e dytë.

Fillimisht shënoi përmes Matteo Politanos i cili pas një aksioni individual shënoi një gol të bukur për 1-2 dhe rihapi edhe një herë tjetër sfidën.

Ky gol i shënuar i motivoi napolitanët të cilët morën disi kontrollin e ndeshjes dhe vazhduan me sulme.

Golin e barazimit Napoli e gjeti në minutën e 63-të përmes Giacomo Raspadorit i cili ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje të dënimit për rezultatin 2-2, duke mos i lënë asnjë shans portierit Maignan.

Në minutën e 89-të Napoli mbeti me një lojtar më pak në fushë pas ndëshkimit me karton të kuq të mbrojtësit Natan.

Deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit nuk pati më raste të mira shënimi për asnëjrën skuadër dhe u desh që të dy taborret të pajtoheshin me nga një pikë.

Milani tani renditet në vendin e tretë me 22 pikë ndërsa Napoli një pozitë më poshtë në atë të katërt me 18 pikë.