Interi ka marrë fitoren e 11-të radhazi në elitën e futbollit italian Serie A, ku skuadra e Antonio Contes ka vuajtur shumë ndaj Cagliarit, por në fund ka fituar me rezultat minimal 1-0.

Pjesa e parë përfundoi me rezultat të barabartë 0-0, përkundër rasteve të mira që patën vendasit.

Megjithatë Interi në pjesën e dytë shtoi edhe më shumë sulmet dhe gjetën golin në minutën e 77-të.

Ishte një aksion fantastik i vendasve, ku Achraf Hakimi asistoi bukur te Matteo Darmian i cili dërgoi topin në rrjetë.

Deri në fund dy skuadrat patën raste shënimi, por që portat mbetën të paprekura dhe rezultati përfundimtar 1-0.

Interi me këtë fitore vazhdon rrugëtimin drejt titullit ku zë vendin e parë me 74 pikë, 11 më shumë se Milani në vendin e dytë, ndërsa Cagliari ndodhet në vendin e 18-të me vetëm 22 pikë dhe rrezikon rënien.