Interi ishte bindës në fitoren prej 3-1 kundër Lazios në ndeshjen e javës së 22-të në Serie A dhe është ngjitur në krye të tabelës së kampionatit italian.

Rezultati u zhbllokua pas 24 minutash lojë, kur gjyqtari akordoi penallti në favor të zikaltërve për një ndërhyrje në zonë dhe Romelu Lukaku arriti ta mposhtte Pepe Reinan nga pika e bardhë.

Në fund të pjesës së parë (45’), sulmuesi belg shënoi edhe golin e dytë personal që fillimisht u dyshua për pozitë jashtë lojë, por pas konsultimit të VAR-it, goli u pranua si i rregullt.

Lacialët e ngushtuan rezultatin kur Gonzalo Escalante e devijoi topin në portën e Samir Handanovic (62’).

Reagimi i Nerazzurrëve ishte i shpejtë dhe Lautaro Martinez e shënoi golin e tretë (64’), ndërkohë që të gjithë punën e kreu Lukaku, i cili e dhuroi asistin.

Kjo fitore e ka ngjitur Interin në krye të tabelës së Serie A me një pikë më shumë se Milani, për më shumë para derbit të madh, Derby della Madonnina, që zhvillohet në javën e ardhshme.

Lazio ndodhet në vend të shtatë me 40 pikë, mirëpo vendi i katërt është vetëm dy pikë më lart. Vedat Muriqi u inkuadrua në lojë nga minuta e 69-të, por nuk arriti t’i ndihmonte skuadrës që t’i ndryshonte gjërat.