Interi ka triumfuar ndaj Genoas me rezultatin 3-0 në kuadër të javës së 24-t në Serie A.
Pas vetëm 1’ lojë në “Giuseppe Meazza”, Nerazzurët kaluan në epërsi me anë të Romelu Lukakut që u asistua nga Lautaro Martinez.
Ishte minuta e 15-të kur Mateo Darmian lëshoi një shans të artë kur ishte vetëm përballë portierit të Genoas, pasi sulmuesi belg bëri një pasim maestral.
Kaluan vetëm tre minuta nga shansi i italianit, dhe Nicolo Barella po ashtu lëshoi një tjetër mundësi të mirë.
Në 45 minutat e dytë, Interi ishte edhe më spektakolar, pasi realizoi edhe dy gola të tjerë.
Ishte minuta e 70-të kur Lukaku asistoi për Darmianin që kësaj radhe nuk dështoi dhe shënoi për 2-0.
Nerazzurët shënuan edhe një herë, mirëpo tani me anë të Alexis Sanchezit (80’), derisa u desh që VAR të konfirmonte se nuk ishte në pozitë jashtë loje.
Pas javës së 24-të, Interi vazhdon të jetë lider me 56 pikë, ndërsa në xhiron e 25-të do të takohet me Parman.