Lacio e Mauricio Sarrit duket se po shfaq më në fund atë që kërkon trajneri italian, i njohur për lojën e tij ofensive.

Dhe nuk kishte ku mund ta shfaqte më mirë këtë cilësi sesa ndaj një tjetër skuadre që luan një futboll të tillë, Atalantës, teksa ka mundur këtë të fundit me shifrat 2-0 në Bergamo.

Goli i shpejtë i shënuar nga Zaccagni 10’ ia bëri shumë më të thjeshtë kryeqytetasve administrimin e lojës, teksa të dy skuadrat krijuan raste të shumta sidomos në pjesën e parë të saj.

Në të dytën, Gasperini aktivizoi edhe Gjimshitin për të rregulluar disi prapavijën, por Atalanta pësoi edhe të dytin me një aksion model të finalizuar nga Felipe Anderson 52’.

Përpjekjet e fundit të Atalantës nuk sollën asgjë, me Lacion që administroi mirë mbajtjen e topit, ndërsa kishte minuta edhe për Hysajn që të ndihmonte që të përballohej vrulli final i vendasve.

Rezultati nuk ndryshoi e kështu Lacio mori fitoren 2-0 që e ngjit përkohësisht në vendin e tretë në kampionat dhe e bën kërcënuese edhe për ekipet që kryesojnë tashmë renditjen e Serisë A.