Roma ka fituar me rezultat të thellë 4-1 në udhëtim te Atalanta në ndeshjen e vlefshme për javën e 18-të në Serie A.

Giallorossët kanë triumfuar në një udhëtim që cilësohej si shumë i vështirë, duke marrë fitoren e dytë radhazi dhe duke vazhduar ngjitjen në tabelën e kampionatit elitar italian.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë të hapur dhe shumë raste nga të dyja skuadrat, me vendasit më të mirë për një nuancë, por me Romën shumë më konkrete.

Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e parë me anë të sulmuesit Tammy Abraham, i cili shënoi për epërsinë e mysafirëve 0-1, ndërsa Nicolo Zaniolo shënoi në minutën e 27-të për 0-2.

Vendasit arritën të kthehen në lojë në minutat shtesë të pjesës së parë duke shënuar me anë të Luis Muriel për të shkuar në pushim me rezultat 1-2.

Në pjesën e dytë, Atalanta e nisi ndeshjen më mirë duke shënuar me anë të Duvan Zapata (68’), por goli iu anulua për pozitë jashtë loje, ndërsa Roma shpejtë u konsolidua duke shënuar edhe dy gola tjerë për të siguruar fitoren.

Fillimisht ishte mbrojtësi Chris Smalling, i cili shënoi nga afërsia për epërsinë 1-3, ndërsa Abraham (82’) me golin e dytë vulosi rezultatin përfundimtar 1-4.