SHBA-ja është përfshirë ditët e fundit nga një valë protestash, ku mijëra qytetarë kanë dalë kundër bllokimit.
Qindra protestues në Michigan janë tubuar në ndërtesën e kapitolit shtetëror, ku disa prej tyre ishin edhe të armatosur.
Ata u mblodhën në Lansig dhe shumica e tyre nuk mbanin maska dhe nuk respektonin distancën sociale.
Policia kontrolloi temperaturat e disa protestuesve para ata të lejoheshin që të futeshin në kapitol, ku ligjvënësit po debatonin në lidhje me shtyrjen e afatit të bllokimit.
Guvernatori demokrat, Gretchen Whitmer, zgjati afatin e izolimin në fillim të fillim të këtij muaji deri më 15 maj.
Michigan është goditur rëndë nga koronavirusi, ku janë regjistruar të paktën 3788 viktima dhe janë konfirmuar më shumë se 41 mijë të infektuar, ku vatra më e madhe e virusit është në zonën e metrosë në Detroit.
Protesta e së enjtes, e quajtur “Tubimi i Patriotëve Amerikanë”, u organizua nga Michigan United for Liberty. Organizata bëri thirrje që bizneset të rihapeshin më 1 maj, në shkelje të urdhrave të shtetit.
Në Michigan është e ligjshme të jesh i armatosur brenda ndërtesës së qeverisë, ku disa demonstrues u lejuan të mbanin armët në duar në mbledhjen e Senatit.
Mirëpo, disa protestues të armatosur raportohet se u përpoqën të hynin në hollin e Dhomës së Deputetëve, të cilët u bllokuan nga oficerët e policisë.
Një senator i shtetit tha që disa nga kolegët e tij mbanin jelekë antiplumb.
Protestuesit jashtë ndërtesës shtetërore dëgjoheshin duke brohoritur në kor thirrjet “Le të hyjmë brenda”, “Kjo është shtëpia e njerëzve, ju nuk mund të na bllokoni”.
Një nga demonstruesit, Joni George, tha për Associated Press:
Virusi është këtu. Do të jetë këtu! Është koha t’i lejojmë njerëzit të kthehen në punë.
Tubimi besohet të ketë qenë më i madhi në llojin e tij që nga ai i 15 prillit, kur protestuesit në Michigan bllokuan trafikun pranë ndërtesës së kapitolit shtetëror.
Tubimi në Michigan u mbështet edhe nga presidenti Donald Trump asokohe, i cili në një reagim në Twitter shkroi: Liri Michiganit!
Disa kritikë thanë që ky reagim i Trump ishte përpjekje për të nxitur kryengritjen. Të enjten, legjislatura e kontrolluar nga republikanët refuzoi kërkesën e Guvernatorit Whitmer për të zgjatur shtyrjen e afatit të bllokimit.
Të mërkurën, guvernatori akuzoi republikanët se po trajtojnë virusin më shumë si një “problem politik”, sesa “një krizë të shëndetit publik”.