Tifozët e Barcelonës e kanë pritur me fyerje dhe reagime të ashpra presidentin e Paris Saint-Germain, Nasser Al-Khelaifi, në qytetin katalonas, para ndeshjes së Ligës së Kampionëve mes tyre.
Sheiku Al-Khelaifi mbërriti në Barcelonë të hënën mbrëma por u përball me fyerje dhe abuzim nga tifozët e Barcelonës për shkak të dëshirës së hapur të PSG-së për ta transferuar Lionel Messin, transmeton Gazeta Express.
Al-Khelaifi, si president i klubit francez, luajti rol kyç për t’ia marrë Barcelonës Neymarin në vitin 2017, duke e rritur rivalitetin mes dy klubeve.
Tani, kur po shkojmë drejt mesit të vitit 2021, PSG-ja ia ka mësyrë një ylli tjetër të Barçës, ama këtë herë yllit më të shndritshëm, Lionel Messit.
Messi – i cili e kërkoi largimin nga Camp Nou verën e kaluar – do të jetë lojtar i lirë në qershor kur i skadon marrëveshja me klubin.
Tifozëve të gjigantit katalonas s’iu ka pëlqyer fakti që drejtuesit e PSG-së kanë bërë deklarata publike në lidhje me Messin kohëve të fundit dhe këtë e dëshmuan të hënën me pritjen që ia bënë Al-Khelaifit.
“Lëre Messin rehat, hajdut!” dëgjohet në video duke bërtitur një tifoz i Barçës referuar presidentit të PSG-së.
“Bir bushtre!” ishte një ofendim tjetër drejtuar atij.
Ndërsa një tjetër i kërkoi para miliarderit të klubit francez: “M’i jep 1 milion euro”.