Pas largimit të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, klubet angleze s’do të kenë më mundësi të transferojnë lojtarë nën moshën 18-vjeçare nga klubet e BE-së, ndërsa edhe lojtarët që vijnë nga vendet e BE-së do të duhet të marrin leje pune.

Premierliga dhe Federata e Futbollit e Anglisë janë në periudhë tranzicioni deri në fund të vitit 2020, që do të thotë se largimi i Britanisë nga BE-ja s’do të ketë ndikim menjëherë. Por, futbollistët e huaj duhet të aplikojnë për viza pune.

Për momentin, lejet u punës u kërkohen vetëm futbollistëve nga vendet jashtë Bashkimit Evropian. Por, me finalizimin e marrëveshjes së BREXIT-it, ky rregull vlen për të gjithë futbollistët e huaj.

Ata do të duhet të aplikojnë për këtë leje në zyrën përkatëse në Angli, e cila është përgjegjëse për vizat e punës.

Në Britani të Madhe, për ta fituar lejen e punës si futbollist duhet t’i plotësosh disa kritere. Një lojtar automatikisht kualifikohet për një leje pune nëse e ka luajtur një përqindje të caktuar në ndeshjet e ekipit kombëtar gjatë dy vjetëve të fundit, para se të bëhej aplikimi.

Kriteret për t’u kualifikuar automatikisht për leje pune:

• Nëse Kombëtarja e lojtarit që aplikon për leje pune radhitet nga pozita 1-11 në listën e FIFA-s, lojtari duhet t’i ketë luajtur të paktën 30 për qind të ndeshjeve të zhvilluara gjatë dy viteve të fundit;

• Nëse Kombëtarja e lojtarit që aplikon për leje pune radhitet nga pozita 11-20 në listën e FIFA-s, lojtari duhet t’i ketë luajtur të paktën 45 për qind të ndeshjeve të zhvilluara gjatë dy viteve të fundit;

• Nëse Kombëtarja e lojtarit që aplikon për leje pune radhitet nga pozita 21-30 në listën e FIFA-s, lojtari duhet t’i ketë luajtur të paktën 60 për qind të ndeshjeve të zhvilluara gjatë dy viteve të fundit;

• Nëse Kombëtarja e lojtarit që aplikon për leje pune radhitet nga pozita 31-50 në listën e FIFA-s, lojtari duhet t’i ketë luajtur të paktën 30 për qind të ndeshjeve të zhvilluara gjatë dy viteve të fundit.

Nëse një futbollist nuk do t’i kishte plotësuar kriteret për ta marrë automatikisht lejen e punës, ai do të duhej ta parashtronte një kërkese te “Paneli i Përjashtimeve”.
Këtu do të vlerësohej edhe një herë kërkesa e tij varësisht nga çmimi, paga dhe historia e karrierës së tij.
Edhe intervista me gojë mund të ndikojë në rezultatin përfundimtar.