Topi do të vendoset në qendër të fushës dhe pas 74 ditësh do të nisë të rrotullohet dhe shqelmohet në fushat e blerta të Shqipërisë për të rinisur Kategorinë Superiore në javën e 27-të të saj.
Gjithçka u ndal në 9 marsin e këtij viti me ndeshjen Skënderbeu-Kukësi kur “COVID-19” u fut në vendin tonë dhe paralizoi jo vetëm sportin, por thuajse të gjitha fushat e jetës.
Mes të panjohurës, mes dëshirës për të luajtur, mes pasigurisë për të ardhmen, por me bindjen që futbolli do të shërojë një pjesë të shoqërisë, do të rikthehet sot në
- Ballsh (Bylis-Tirana),
- Vlorë (Flamurtari-Vllaznia),
- Elbasan (Kukësi-Luftëtari),
- Laç (Laçi-Teuta),
- Tiranë (Partizani-Skënderbeu).
Duhet të mësohemi të gjithë me një tjetër futboll pas kësaj pandemie. Mes rregullave strikte dhe protokollit të përcaktuar nga institucionet, skuadrat e Kategorisë Superiore do të rinisin rrugëtimin e tyre për të arritur objektivat.
Ndryshimi i parë?
Nuk do të ketë tifozë të pranishëm në stadium. Jo se më parë tifozët dyndeshin në shkallët e stadiumeve, por tani gjithçka do të jetë bosh. Edhe ata pak tifozë besnikë që nuk e braktisnin kurrë ekipin e tyre, tani duhet ta shikojnë nga televizori.
Do të jetë futboll ndryshe për trajnerët, por edhe për lojtarët.
Këta të fundit duhet të ndihen të gjithë të rëndësishëm sepse në çdo moment mund të futen në fushën e lojës për të vendosur sfidat. Është risi edhe për trajnerët, të cilët do të kenë në dispozicion 5 zëvendësime dhe duhet që të godasin në shenjë. Do të jetë një futboll strategjik, si një lojë shahu.