Superkupa e Shqipërisë është e Tiranës, pasi mposhtën 3-2 me përmbysje Vllazninë në “Air Albania”, duke fituar trofeun e 12-të.

Një fitore e madhe e të besuarve të Orges Shehit, që reaguan si kampionë në dy momente të vështira.

Kryeqytetasit u ndëshkuan që në minutën e 7-të nga Esat Mala.

Një perlë e vërtetë ajo që bëri Patrick në minutën e 39-të, me një gjysmëroveshatë që e kanë zili edhe emrat e mëdhenj të futbollit. Një gol me vlerë të jashtëzakonshme, që jo vetëm barazoi rezultatin, po u dha zemër dhe moral bardhebluve për pjesën e mbetur të ndeshjes.

Golin e dytë, atë avantazhit të përkohshëm 2-1, e shënoi Florent Hasani në minutën e 53-të, duke e kaluar presionin në anën e shkodranëve.

Vllaznia arriti të barazojë në 2-2 në minutën e 86-të me një 11-metërsh të shënuar nga Liridon Latifi.

Gjithsesi, në kohën shtesë, atëherë kur nuk kishte më kohë për të reaguar, Redon Xhixha ndëshkoi ekipin shkodran me golin e rezultatit përfundimtar 3-2.