Prej orës 03:54 të mëngjesit të së martës kur u godit nga një tërmet i fuqishëm 6.4 ballë me intensitet të ndjeshmërisë 8 ballë dhe që zgjati deri në 30 sekonda, Shqipëria është në agoni, lot e trishtim, me shpresë dhe lutje për të mos rritur bilancin e jetëve të humbura dhe për të pasur sa më shumë të shpëtuar nga personat që po lëngojnë nën rrënoja. Deri më tani raportohen 18 të vdekur në Thumanë, Durrës, Keneta dhe Lezhë, ndërsa janë rreth 600 të lënduar që kanë marrë trajtim në spital si pasojë e dëmtimeve nga lëkundjes e fuqishme sizmike të mëngjesit që vazhdojnë ende me pasgoditje të njëpasnjëshme. Aktualisht 45 persona janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat ndësa vijojnë kërkimet për të tjerë.

Ushtria, forcat e policisë dhe Emergjenca Civile po gërmojnë në mes të rrënojave të 9 godinave në Durres, Thumanë dhe në lagjen e Kënetës ku dyshohet që mund të jënë edhe shumë njerëz. Saktësisht germohet tek tre pallatet e shembura në Thumanë, një vilë në Kënetë, dhe në Durrës hotel “MiraMare” , Hotel “Tropikal” , Hotel vila “Palma” , një pallat i fundosur dy kate nën dhe në lagjen numër 6, dhe një pallat në lagjen numër 18 pranë stadiumit.

Shqipëria është me sytë nga Thumana aty ku janë shënuar dëmet më të mëdha dhe ku tre pallate janë shembur. Rrëqethës ishte shpëtimi i një djali të vogël në prehrin e gjyshes së tij e cila mbeti e pajetë nën rrënoja. Një foshnjë, gra, burra e vajza humbën jetën në Thumanë, ndërsa bilanc tragjik është shënuar edhe në qytetin e Durrësit, ku u shembën vila, godina biznese e hotele me pasoja të rënda. Në Durrës tërmeti shembi edhe Kavaleshencën në Durrës ku mbeti i pajetë në detyrë një efektiv i policisë, kryekomisari Bajram Hajdarmataj. Në Thumanë, Kristian Preçi humbi jetën duke mos mundur të shijojë lirinë e fituar vetëm prej dy ditësh, pasi kishte qenë në burg prej 5 muajsh.

Forcat speciale të policisë, ato të armatosura, zjarrfikësit, kryqi i kuq dhe forca të ushtrisë e policisë kosovare janë të gjithë në terren në operacione të vështira të kërkim shpëtimit mes rrënojave të personave të mbijetuar. Mrekulli dhe lajme të gëzueshme janë përcjellë në mesin e kësaj tragjedie, ku prej orësh të tëra nën rrënoja janë shpëtuar të gjallë me dhjetëra persona me agoninë për të pasur pranë vetes familjarët e tyre, disa prej të cilëve nuk u dihet fati. Disa kanë dhënë shenja jete me telefona duke kërkuar ndihmë, por operacionet janë të vështira për shkak të kujdesit që duhet treguar për t’i nxjerrë pa të tjera dëmtime nga grumbullimi i copave të betonit dhe inerteve.

Në Kurbin një tjetër person humbi jetën, pasi në panik pas tërmetit në tentativë për t’i shpëtuar lëkundjeve të fuqishme që u ndjenë, u hodh nga ballkoni i katit të tretë. Në Lezhë, një tjetër person, ndërroi jetë pasi duke drejtuar automjetin humbi kontrollin duke u përplasur për vdekje.