Komiteti Teknik i Ekspertëve ka propozuar mësim online për universitetet dhe mbylljen e lokaleve dhe restoranteve në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet. Kryetarja e Komitetit, Mira Rakacolli, shpjegoi se masat kufizuese rikthehen pas rritjes së numrit të infektimeve me koronavirus. Të enjten u regjistruan 275 raste të reja dhe 6 viktima.

Dy javë nga vendosja e maskës si detyrim në çdo ambient jashtë shtëpisë, koronavirusi nuk po njeh frenim.

Në 24 orët e fundit u regjistruan sërish 6 viktima, më i riu ndër ta një pacient 60-vjeçar nga Korça.

Rastet e reja pozitive me Covid-19 të enjten ishin 275 ndërsa u kryen 1 mijë e 422 testime.

Situata e rënduar ka detyruar Komitetin Teknik të Ekspertëve të propozojë rikthimin e masave kufizuese.

Komiteti kërkon që Universitetet të mos hapen në datën 2 nëntor.

Rakacolli: 131 raste për 100 mijë banorë. Aktualisht kemi 500 vatra aktive prej të cilave 35% në Tiranë. Vlerësohet se rastet e rritura përkojnë me lehtësimin e masave siç janë hapja e bareve dhe restoranteve dhe të shkollave, por edhe me sezonin vjeshtës që sjell grumbullimin e njerëzve.

Situata në spitale paraqitet me një rritje të rasteve, por në dy javët e fundit ka pasur një qëndrueshmëri. nisur nga dinamika e situatës, komiteti Teknik i Ekspertëve ka vlerësuar se është i nevojshëm që të kemi masa shtesë për të frenuar përhapjen më tej të infeksionit.

Në këtë kuadër, në mbledhjen e zhvilluar kemi vendosur që të propozojmë që universitetet të zhvillojnë vetëm mësim online, për të paktën një muaj. Në këtë kuadër, konviktet do të jenë të mbyllura deri në një vendim të dytë.

Po ashtu po vlerësohet edhe mbyllja në mbrëmje e restoranteve dhe lokaleve në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet.

Rakacolli: Njëkohësisht po vlerësohet edhe mbyllja e bareve dhe kafeneve në zonën e bllokut në Tiranë pas orës 22:00 duke qenë se konstatohet një vatër e rrezikshme, sidomos gjatë orëve të natës. Nëse nuk respektojmë rregullat e vendosura do të rrezikojmë mbylljen që askush nuk e do. Secili prej nesh e ka në dorë të frenojë përhapjen e epidemisë. Mbajtja e maskës është një vendim i drejtë, mbani maskën tani që të evidentoni mbajtjen e maskës së oksigjenit më vonë.

Nga Parlamenti Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, paralajmëroi se na presin 4 muaj të vështirë.

Ajo kërkoi nga qytetarët të respektojnë maskat ndryshe do të përjetojmë situatën e Italisë, ku personeli shëndetësor duhet të zgjidhte kë do të trajtonte në spitale.

Manastirliu njoftoi se do të rritet numri i testimeve duke përfshirë edhe testimin e shpejtë.