Menjëherë pas pikës së fundit të ndeshjes nga Elena Bego, në parket shpërtheu festa korçare, me trajnerin Pandi Kapedani që u shtri në fushë nga gëzimi. Tepër i lumtur pas këtij momenti historik, Kapedani deklaroi:

“Jam akoma i lodhur dhe pa frymë nga gëzimi. Ishte një fitore e merituar dhe siç kisha deklaruar edhe në ndeshjen e kaluar në Korçë, ne e kishim mundur 5 herë Tiranën dhe ato na kanë mundur vetëm dy herë gjatë sezonit. Kjo tregonte që ne ishim ekipi më i mirë dhe këtë e vërtetoi edhe finalja e fundit”.

Me tej, trajneri tregoi edhe një detaj interesant, për sa i përket emrit Pandi në lidhje me sukseset e volejbollit korçar: “Qyteti i Korçës e ka pasur traditë volejbollin dhe një nga baballarët e volejbollit të femrave në Korçë ka qenë Pandi Gëllçi. Ishte radha që një tjetër Pandi të merrte titullin kampion, këtë herë Kapedani, pas 36 vitesh”. Trajneri falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuuar në këtë sezon fantastik:

“Dua të falënderoj pa masë paraardhësit e mi, trajnerin Besnik Lisha, trajneren Tatjana Marash si drejtuese dhe si projektuese e ekipit. Dua të falënderoj gjithashtu Arben Priftin, trajner që ka punuar fort gjatë të gjithë vitit me skuadrën. Falënderoj stafin dhe të gjitha vajzat, por mbi të gjitha këtë publik fantastik që na ka ardhur që nga Korça dhe atë pallat sporti të mbushur plot në qytetin tonë. Kjo ishte fitorja më e madhe e volejbollit, ai pallat sporti i mbushur plot”, përfundoi trajneri Kapedani.

Si trajnere dhe si drejtuese, Tatjana Marash ishte një prej arkitekteve kryesore në suksesin e Skënderbeut. Pas kurorëzimit kampion të skuadrës korçare, shefja e klubit u shpreh: “Kjo pritje 36-vjeçare ishte e vështirë deri në dhimbje. Për hir të së vërtetës dukej një ëndërr që nuk do të realizohej. Projekti filloi me dëshirën e madhe për të zgjuar volejbollin dhe tifozërinë korçare. Mendoj që ia dolëm me shumë sakrifica në një kampionat të gjatë, të gërshetuar edhe me suksesin në Ligën ‘Gjergj Kastrioti’. Ishin eksperienca shumë të forta dhe emocionuese, në të cilat në fund arritëm që të triumfojmë”, u shpreh fillimisht Marash.

Më pas ajo shtoi: “Për hir të së vërtetës kemi bërë lëvizjet e duhura, si në pankinë, ku bëra zgjedhjen e duhur pas çeduam në Kupën e Shqipërisë. Për këtë sukses dua të falënderoj djalin tim, i cili ishte sponsor i këtij sezoni, na mbështeti maksimalisht dhe merkatoja që bëmë ishte më e suksesshmja e kampionatit”.

Në fund Marash u ndal të flasë edhe për të ardhmen e skuadrës: “E keni parë se sa shumë sportdashës kemi pasur në çdo ndeshje dhe se sa i ndjeshëm është bërë qyteti i Korçës me volejbollin e vajzave dhe do të ishte një zhgënjim i madh nëse ne nuk e vazhdojmë këtë punë. Unë jam besimplotë edhe për bashkinë, e cila na ka mbështetur në çdo moment dhe për qytetarinë korçare, që do të na mirëkuptojnë për ta rritur edhe më tej këtë volejboll”, përfundoi Tatjana Marash.