Kriza e pafund e Elbasanit, ish-zyrtari i klubit: Kam folur me Llatjan, 54% të aksioneve t’i marrë bashkia.

Nga kampioni Superiores në 2006- ën, për herë të dytë në histori, dhe gjithmonë një faktor i rëndësishëm në futbollin shqiptar, Elbasani sot lëngon në fundin e renditjes së Kategorisë së Parë. Një trajektore gati e pabesueshme e një klubi me kaq traditë, për momentin peng i një gjyqi me disa anglezë misteriozë. Një gjendje kaotike për këtë ekip historik dhe për një qytet të madh si Elbasani. Artin Kovaçi, një jetë i lidhur me ekipin verdheblu, ish-drejtues i klubit për shumë vite, aktualisht drejtues në bashki, në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, pranon kaosin që ka pushtuar futbollin dhe pastaj evidenton problemet të cilat kërkojnë zgjidhje imediate për ta kthyer Elbasanin në shina. Kovaçi thekson se gjithçka duhet të organizohet nga e para, pas mbylljes ligjërisht të çështjes me palën angleze, që më pas klubi të marrë formë.

GJENDJE NOKDAUNI – “Më dhemb shpirti për Elbasanin, duke e parë në këtë situatë, – thotë në fillim Kovaçi. – Jo vetëm mua, por të gjithëve. Është një keqardhje së pari si qytetar, pastaj si një njeri që ka gjithë jetën me sportin dhe si ish-drejtues i klubit, edhe pse vitet e fundit kam qenë larg. Është një situatë nokdauni, një kaos total, sikur na kanë dhënë një grusht kokës dhe na ka hutuar komplet e nuk po dimë çfarë po bëjmë. Është një ngërç që duhet të marrë zgjidhje sa më parë të jetë e mundur. Janë dy problemet madhore në gjithë këtë histori. I pari është ai i zgjidhjes ligjore dhe juridike të shitjes së aksioneve palës angleze. Nuk e di me saktësi a ka nisur gjyqi, por di që dokumentacioni përkatës është mbledhur dhe ndoshta kërkon kohën e vet. Personalisht, di që po punohet në këtë drejtim. Kjo është lëvizja e parë, që ekipi i Elbasanit të kthehet si më parë, me 54% të aksioneve në dorë të bashkisë së qytetit dhe pjesa tjetër e presidentit. Problemi i dytë është ai i riorganizimit të klubit sipas të gjitha standardeve, por gjithçka varet nga zgjidhja e ngërçit ligjor. Është punë dashamirësie”.

BASHKIA – Më tej, i pyetur për atë çfarë mund të bëjë bashkia si institucion, ishdrejtuesi i klubit verdheblu shprehet: “Kryebashkiaku Llatja ka marrë informacion për situatën e Elbasanit, i është shpjeguar gjithçka. Ai i ka parë materialet, ndoshta jo deri në thellësi, por është i predispozuar për zgjidhjen e ngërçit. Edhe personalisht kam folur me të dhe di që ai është dashamirës për t’i dhënë zgjidhje problemit të futbollit. Ia kam bërë të qartë se vetëm me gjykatë zgjidhet kjo situatë. Nuk e komandon bashkia futbollin, flitet që i ka blerë aksionet një shoqëri angleze, por… Kjo gjë duhet zgjidhur njëherë e mirë dhe nuk mungon angazhimi i bashkisë si institucion, por është vetë situata e tillë, ky ngërç ligjor pengon gjithçka”.

SHPËRFYTYRIMI – Elbasani gjatë kësaj periudhe ka humbur edhe identitetin e tij dhe Kovaçi e pranon këtë fakt. “Me zgjidhjen e anës ligjore dhe rikthimin e aksioneve si më parë, puna mund të organizohet që gjithçka tek Elbasani të funksionojë si një klub normal. Bashkia merr drejtimin e klubit si më parë, akordon një fond për futbollin dhe puna vazhdon normalisht, me një organizim të mirëfilltë strukturash. Uroj me shpirt që situata të marrë zgjidhje dhe Elbasani të kthehet në vendin që meriton. Na ka humbur gjithçka, kemi humbur formën si klub. Ne kemi pasur lojtarë rregullisht në të gjitha grup-moshat e kombëtareve dhe deri tek Kombëtarja A, për të mos folur për ata që luanin në skuadrat më të mira të kampionatit shqiptar. Nëse klubi nis të funksionojë normalisht, kështu mund të jetë prapë”, thotë më tej Kovaçi.

MBIJETESA – Në fund një mendim edhe për ekipin aktual dhe rrezikun e rënies në Kategorinë e Dytë. “Edhe në bisedat e lira që bëjmë në qytet, kuptohet që të gjitha janë të shqetësuar. Do doja, pse jo, që rregullat të ndryshojnë. Nuk ka asnjë të keqe të jemi në Kategorinë e Parë, por nuk është në dorën tonë. Sikur jemi hutuar dhe nuk po dimë çfarë po bëjmë. Është e kotë të flasësh për çështje teknike të ekipit në këtë situatë. E them me forcë: duhet të fillojë një punë nga e para dhe dihet… më mirë vonë se kurrë”, përfundon Artin Kovaçi.