Klubi nga Principata, AS Monaco ka befasuar të gjithë me njoftimin e fundit në faqet zyrtare ku konfirmon shkarkimin e trajnerit Leonardo Jardim dhe lajmin se pasues i tij është spanjolli, Roberto Moreno, i cili udhëhoqi Kombëtaren e Spanjës deri në rikthimin e Luis Enriques.

“Monaco njofton përfundimin e bashkëpunimit me Leonardo Jardim dhe ardhjen e Robert Morenon si trajner. Tekniku spanjoll 42 vjeçar nënshkroi deri në qershor të vitit 2022. Ai do të marrë detyrat e tij në fillim të kësaj jave. Trajneri i emëruar i Kombëtares Spanjolle, Robert Moreno e ka drejtuar La Rojan 6 herë, duke ndihmuar në kualifikimin në Euro 2020.

Ai ka shumë tituj, Ligën e Kampionëve 2015, dy tituj të La Ligas, tre Kupa të Mbretit, një Superkupë Spanjolle dhe një Kupë të Botës për Klube – të fituara me Barcelonën (2014-2017) ) së bashku me Luis Enrique, për të cilin e ndihmoi edhe te Roma (2011-12) dhe Celta Vigo (2013-14)”, shkruhet në njoftimin e klubit nga Ligue 1.