Braziliani Allan (1991) ka përfunduar zyrtarisht transferimin e tij nga Napoli te Everton për 25 milionë euro plus bonuse.
29-vjeçari bëri testet e tij mjekësore këtë javë dhe është ribashkuar me ish-trajnerin e Napolit, Carlo Ancelotti, i cili u shkarkua në dhjetor.
Transferimi i mesfushorit brazilian është konfirmuar nga faqet zyrtare të klubit anglez, me Allan që ka nënshkruar kontratë trevjeçare.
“Kemi përfunduar nënshkrimin e brazilianit Allan, me mesfushorin që nënshkruan një marrëveshje tre-vjeçare deri në fund të qershorit 2023”, thuhet në njoftimin e Evertonit.
I lumtur me transferimin është ndarë edhe vet Allan, i cili mezi pret ta fillojë këtë aventurë.
“Është një kënaqësi e vërtetë të nënshkruaj për Evertonin. Jam jashtëzakonisht i lumtur që jam këtu. Është një klub me një histori të pasur në Ligën Premier, ka ambicie të vërteta dhe pastaj është profesor Ancelotti. Ai ka bërë gjithçka që është e mundur për të më sjellë këtu”, ka thënë Allan.