Frank De Boer (1970) rikthehet për të drejtuar, pasi është zyrtarizuar si përzgjedhës i Kombëtares së Holandës.

50-vjeçari është zgjedhur nga drejtuesit e federatës holandeze të futbollit si pasuesi i Ronald Koeman, i cili mori drejtimin e Barcelonës muaj më parë.

De Boer i cili në karrierën e tij është aktivizuar në 112 ndeshje me Holandën ka shënuar 13 gola, e njeh mjaft mirë ambientin në kombëtare.

Ai ka firmosur një kontratë dyvjeçare me federatën dhe do të jetë në krye deri në përfundim të Botërorit “Katar 2022”.

Ai do të udhëheqë Holandën edhe në Kampionatin Evropian në verën e ardhshme.

De Boer do të nisë menjëherë punën teksa do ta drejtojë Holandën në miqësoren e muajit tetor ndaj Meksikës dhe në sfidat e Ligën e Kombeve ndaj Bosnje Hercegovinës dhe Italisë.

Ai më parë ka drejtuar klube si Ajaxin, Interin, Crystal Palace dhe Atlanta United.