Joan Laporta është rikthyer në krye të Barcelonës, pasi ka fituar zgjedhjet presidenciale. Presidenti i Barcelonës synon që ta rikthejë gjigantin katalunas në krye të Evropës, pasi ka plane të mëdha.

Menjëherë pasi fitoi zgjedhjet, Laporta dha premtimin e madh duke thënë se Messi do të qëndrojë në klub. Por mediat spanjolle kanë shkruar sot për përforcimet që pritet t’i bëjë gjiganti katalunas.

Gjithnjë sipas mediave spanjolle, Laporta do të synojë ta përforcojë repartin mbrojtës. Tanimë janë zbuluar emrat e tre lojtarëve që pritet të zbarkojnë në Camp Nou për edicionin e ri.

Eric Garcia duket i sigurt, pasi lojtari ka para kontratë me Barçën, derisa Laporta po tenton ta bind edhe David Alaban i cili do të largohet si futbollist i lirë nga Bayern Munich në fund të sezonit.

Emri i tretë në listën e dëshirave të Laportës është ai i mbrojtësit holandez Matthijs De Ligt. 21-vjeçari ka simpati për Barcelonën, derisa transferimi i tij mund të ndodhë për një shumë prej 70 milionë eurove.

Laporta duket se ka plane të mëdha me katalunasit, por mbetet të shihet nëse do t’i kompletojë këto tri transferime që shihen si tejet të mëdha.