Tashmë është zyrtare që Lionel Messi (1987)  do të jetë futbollist i Paris Saint-Germainit, pasi diçka të tillë e ka konfirmuar klubi francez.

Pas arritjes në Paris dhe kalimit te testeve mjekësore, superylli argjentinas është konfirmuar si lojtar i ri ekipit nga Ligue 1 dhe ka firmosur një kontratë dyvjeçare me opsion edhe për një vit tjetër me pagë netto 35 milionë euro në vit.  

Në faqen zyrtare të PSG-së është publikuar videoja prezantuese e 34-vjeçarit si lojtar i klubit francez edhe ai do të mbajë fanellën me numrin 30.

“Një diamant i ri në Paris”, shkruan në përshkrimin e videos së publikuar në Twitter, teksa konfirmohet bashkëpunimin ndërmjet Messit dhe PSG-së.

Paris Saint-Germaini njofton me kënaqësi se ka nënshkruar me Leo Messin kontratë dyvjeçare me opsionin për një vit të tretë. Fituesi i gjashtëfishtë i Topit të Artë me plot të drejtë konsiderohet si një legjendë e futbollit dhe një frymëzim i vërtetë për të gjitha moshat, brenda dhe jashtë futbollit. Nënshkrimi i Leos riforcon aspiratat e Paris Saint-Germainit, si dhe u siguron tifozëve besnikë të klubit, jo vetëm një skuadër jashtëzakonisht të talentuar, por edhe momente të mrekullueshëm futbolli në vitet në vijim”, thuhet në njoftimin e PSG-së.