Edon Zhegrova (1999) ka bërë hapin e madh në karrierë, duke u transferuar në kampionatin francez Ligue 1.

Sulmuesi kosovar ka lënë Baselin për t’iu bashkuar kampionit në fuqi të Francës, LOSC Lille për 7 milionë euro.

22-vjeçari ka nënshkruar kontratë afatgjate me Lillen deri në 30 Qershor 2026.

Sapo u prezantua si futbollist i ri i Lille, Zhegrova ka folur për faqen zyrtare të klubit duke u shprehur shumë i lumtur me këtë transferim të cilin e ka cilësuar si hap të madh në karrierë.

“Sot jam shumë i lumtur dhe krenar. Është një ditë e madhe për mua, një hap i madh në karrierën time, në një kampionat të madh, në një klub me lojtarë të mëdhenj me të cilët do të mund të përparoj. Doja shumë të vija këtu dhe kjo ndodhi ndaj jam shumë i lumtur. Tani do ta bëj më të mirën për Lille”, ka thënë Zhegrova për faqen zyrtare të klubit francez.

Edhe presidenti i klubit, Olivier Letang, është shfaqur i lumtur që ka arritur të nënshkruajë me një lojtarë të talentuar si Zhegrova.

“Jemi shumë të lumtur të mirëpresim Edonin në LOSC. Edoni kishte shumë kërkesa por ishte LOSC që ai zgjodhi dhe që në kontaktet e para u kuptua se LOSC ishte projekti i duhur për të. Prej pak kohësh e kishim ndjekur Edonin dhe e kishim identifikuar si një profil shumë të mirë, sidomos në rast të largimit të Jonathan Ikone. Dëshiroj t’i falënderoj drejtuesit e Baselit për marrëveshjen dhe që më në fund ranë dakord të lironin Edonin në jana, kur ai ishte një nga lojtarët kryesorë në skuadër”, – ka thënë Letang.

Përfaqësuesi kosovar ka zgjedhur fanellën me numër 23 tek ekipi francez.