PSG e ka konfirmuar lajmin se Kylian Mbappe (1998) do të mbetet në klubin pariesien.

Lajmi që qarkullonte prej dy ditësh, tashmë është konfirmuar.

“Historia shkruhet këtu. Këtu është Paris”, – thotë Mbappe në videon e njoftimit.

Ylli francez ka qenë në bisedime me Real Madridin dhe pritej që nga 1 korriku të bashkohej me këtë klub.

Por oferta e PSG-së dhe plani i klubit që ta ketë në qendër lojtarin kanë bërë që Mbappe të mbetet në klub.

Sipas mediave klubi i ka dhënë futbollistit 150 milionë euro bonus në momentin e firmës dhe ka nënshkruar një kontratë trevjeçare me pagë 100 milionë euro në vit. Gjithashtu Mbappe do të vendosë kush do të jetë trajneri dhe çfarë futbollistësh do të blihen.

Para se të fillojë ndeshja e sotme ndaj Metz, presidenti i klubit, Nasser Al-Khelaifi zbriti në fushë dhe së bashku me Kylian Mbappen konfirmuan marrëveshjen.

“Doja të njoftoja se kam zgjedhur të vazhdoj kontratën time me Paris Saint-Germain, dhe sigurisht që jam shumë i lumtur për këtë. Jam i bindur se këtu mund të vazhdoj të rritem brenda një klubi që i jep vetes të gjitha mjetet për të paraqitur në nivelin më të lartë. Jam gjithashtu shumë i lumtur që mund të vazhdoj të evoluoj në Francë, vendi ku linda, u rrita dhe lulëzova. Dëshiroj të falënderoj presidentin Nasser Al-Khelaifi për besimin, mirëkuptimin dhe durimin e tij. Kam një mendim edhe për të gjithë mbështetësit e Paris Saint-Germain, në Francë dhe në mbarë botën, për shprehjet e tyre të panumërta të dashurisë, veçanërisht muajt e fundit. Së bashku, krahë për krahë dhe ambicioz, ne do të bëjmë magji në Paris”, – deklaroi Kylian.

Zgjatja e kontratës së Kylian shënon një moment të jashtëzakonshëm në historinë e klubit tonë dhe është një lajm i madh për të gjithë tifozët tanë në mbarë botën. Që kur Kylian u bashkua me familjen tonë, pavarësisht moshës së tij të re, ai ka bërë mrekulli në të gjitha nivelet. Duke u zgjatur qëndrimin me Paris Saint-Germain, ai bëhet gurthemeli i projektit të klubit për vitet në vijim, brenda dhe jashtë fushës. Jam shumë krenar dhe shumë i lumtur – për Kylian, për tifozët tanë dhe për të gjithë familjen e Paris Saint-Germain në të gjitha kontinentet – për të vazhduar aventurën tonë fantastike të përbashkët. Për tifozët tanë dhe klubin tonë, ne do të hapim faqet më të bukura të – historisë sonë.”,  – ka thënë pronari i PSG-së.

Real Madridi ishte në garë për talentin e madh, por PSG ishte më e shpejtë dhe arriti marrëveshjen.

Mbappe do të qëndrojë deri në vitin 2025 te PSG. Ai është në Paris Saint-Germain që nga viti 2017 kur erdhi nga AS Monaco.

Mbappe tashmë është në historinë e klubit, pasi u bë golashënuesi i dytë më i mirë i të gjitha kohërave me 168 gola dhe 87 asiste në 216 ndeshje, në të gjitha garat.

Sulmuesi 23-vjeçar ka fituar 4 kampionate franceze (2018, 2019, 2020, 2022), 3 kupa franceze ( 2018, 2020, 2021), 2 Kupa të Ligës (2018, 2020).