Klube nga Seria A ishin të interesuar që në ditët e para të janarit për dibranin, Xhuljano Skuka, por ishte një skuadër franceze, që ia mori zemrën sulmuesit, si dhe bindi Partizanin për ta lënë të lirë. Klubi i Metzit, që luan në Ligën e Dytë në Francë, ka ofruar plot 1 milionë euro për 24- vjeçarin, plus 10% të kartonit në rast rishitjeje.
Ky propozim rezultoi të ishte i parefuzueshëm nga “demat”, të cilët e pranuan dhe ditën e djeshme i dhanë letrat Skukës të bëhet lojtari më i ri i Metzit.
Kjo zgjedhje pa dyshim është ndikuar edhe nga fakti që dibrani ka jetuar disa vite në Francë, ka pasaportën e këtij vendi dhe e flet shumë mirë frëngjishten. Metzi synon ngjitjen në elitë në sezonin e ardhshëm.
Sulmuesi dibran është prezantuar ditën e sotme në klubin e ri, teksa do të mbajë mbi shpinë fanellën me numrin 11.
“Xhuliano Skuka në terren të njohur”, – ka shkruar Metz në videon e prezantimit. Kujtojmë që sulmuesi shqiptar në të kaluarën ka qenë pjesë e akademisë së Metz.
“Jam krenar që kthehem këtu, në vendin ku filloi gjithçka. Unë dua t’u them tifozëve që pres me padurim t’i shoh në stadiumin “Saint-Symphorien”, – ishin fjalët e tij të para si futbollisti i Metz, skuadër e cila është mes pretendenteve kryesore për ngjitjen në Ligën 1.